Sistemi Politik





Kosova është një Republikë parlamentare dhe shtet modern demokratik i mbështetur në parimin e ndarjes së pushteteve dhe kontrollit e balancimit në mes tyre, ashtu siç është përcaktuar edhe me Kushtetutën e saj. Shumica e popullsisë së Kosovës përbëhet nga shqiptarët etnik, ndërsa Kushtetuta garanton, që komunitetet tjera jo-shqiptare të gëzojnë barazi me shumicën e popullsisë dhe të luajnë një rol të rëndësishëm, në disa raste vendimtarë në çështje të drejtimit të shtetit, nëpërmjet të drejtës kushtetuese për shumicën së dyfishtë.

Institucionet Kryesore të Kosovës janë: Kuvendi i Republikës së Kosovës, i cili është njëdhomësh, përbëhet nga 120 deputetë dhe ushtron pushtetin legjislativ. Në kuadër të kësaj ndarjeje, njëzet (20) prej njëqind e njëzet (120) vendeve janë të garantuara për përfaqësimin e komuniteteve, që nuk janë shumicë në Kosovë.

Presidenti i vendit përfaqëson unitetin e popullit, është përfaqësues legjitim brenda dhe jashtë dhe garantues i funksionimit demokratik të institucioneve të Republikës së Kosovës. Qeveria është organi tjetër përgjegjës për zbatimin e ligjeve e politikave shtetërore dhe i nënshtrohet kontrollit parlamentar, ndërsa, pushteti gjyqësor është unik, i pavarur dhe ushtrohet nga Gjykatat. Kushtetuta e Kosovës u siguron pjesëmarrje të gjitha komuniteteve jo-shumicë në Qeveri, me së paku tre poste Ministrore dhe pesë poste të zëvendës-ministrave dhe poste të tjera sipas marrëveshjeve respektive të partive politike që bëjnë koalicione për të qeverisur me vendin.

Koncepti qytetar dhe civil, barazia qytetare dhe të drejtat e njeriut, karakteri shumë-etnik, mbrojtja e veçantë e të drejtave të komuniteteve, që jetojnë në Kosovë/diskriminimi pozitiv apo laiciteti dhe neutraliteti ndaj çështjeve të besimeve fetare dhe mos ndalimi i martesave të gjinisë së njëjtë vlerësohen si disa nga tiparet më të avancuara dhe përparimtare të aktit më të lartë juridik në Kosovë, Kushtetutës.  

Gjuhët zyrtare në Republikën e Kosovës janë Gjuha Shqipe dhe Gjuha Serbe, ndërsa gjuhët Turke, Boshnjake dhe ajo Rome kanë statusin e gjuhëve zyrtare në nivel komune. Për shkak të prezencës së madhe të ndërkombëtare gjuha angleze gjen përdorim relativisht të madh. Lidhjet tjera të forta me shtetet evropiane, për shkak të prezencës së madhe të diasporës së Kosovës në shtetet evropiane dhe mosha shumë e re në vend i kanë dhënë një shtytje të fortë edhe përdorimit të gjuhëve të tjera, në veçanti asaj gjermane.

Republika e Kosovës ka edhe institucionet e veta për mbrojtjen e rendit kushtetues, integritetit territorial, rendit dhe qetësisë publike, të cilat funksionojnë nën autoritetin kushtetues të institucioneve demokratike të Republikës së Kosovës. Institucionet e Sigurisë në Kosovë të themeluara sipas standardeve dhe praktikave më të avancuara ndërkombëtare dhe sipas organizatave kredibile vlerësohen si ndër më të mirat në rajon.

Kosova ka 38 Komuna, nga të cilat dhjetë sish, që kanë shumicë të popullatës serbe udhëhiqen nga komuniteti serb, ndërsa një nga pakica turke, që jeton në Kosovë. Me gjithë se një vend i vogël, llogaritet se në Kosovë janë mbi 30 parti politike dhe më shumë se 50 iniciativa qytetare. Kosova e lejon edhe shtetësinë e dyfishtë.  

Marrëdhëniet Ndërkombëtare


Në më pak se një dekadë, që nga shpallja e pavarësisë, Kosova në vazhdimësi ka forcuar dhe zgjeruar prezencën dhe subjektivitetin e saj ndërkombëtar. Brenda kësaj kornize kohore, ka arritur t’i sigurojë 115 njohje ndërkombëtare, të vendosë marrëdhënie diplomatike me 88 vende, që e kanë njohur Kosovën, si shtet të pavarur dhe sovran, përderisa vendosja e marrëdhënieve diplomatike me 26 shtete të tjera është në progres.

Anëtarësimi në Organizata Rajonale, Evropiane dhe Ndërkombëtare vazhdon të mbetet një prioritet kyç për Kosovën, pasi që konsiderohet si një proces vendimtarë për të përmirësuar pozicionin ndërkombëtarë të vendit si dhe për të përfituar nga mundësitë, që ofron secila organizatë për zhvillimin ekonomik, politik dhe social.

Anëtarësimi i Kosovës në organizatat ndërkombëtare, si një vend i pavarur dhe sovran nga vendimmarrësit vendorë, por edhe shumica e shoqërisë kosovare vlerësohet si një hap i rëndësishëm drejt përmbushjes së aspiratës së vendit për t'u bashkuar me BE-në, NATO-n dhe OKB-në. Në Kosovë nuk ekziston asnjë parti politike apo iniciativë qytetare, që mbështet orientim tjetër alternativ nga ai i marrëdhënieve strategjike me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimit Evropian dhe anëtarësimit të plotë të vendit në strukturat evro-atlantike. Të gjitha sondazhet më kredibile ndërkombëtare, siç është edhe ai i Pew Research Center kanë dëshmuar se shqiptarët janë populli më pro-amerikan, përderisa anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe NATO ka mbështetje absolute nga Institucionet dhe populli.

Gjatë dhjetë viteve të fundit, Kosova është bërë anëtare e plotë dhe me të drejta të barabarta në mbi 60 organizata të ndryshme rajonale, evropiane dhe ndërkombëtare.  

Brenda ekzistencës së saj dhjetë vjeçare, Kosova ka arritur që të ketë një shtrirje të gjerë diplomatike pothuaj në çdo cep të botës. Si rezultat i kësaj, ajo sot numëron 25 Ambasada, 1 Mision Special, 6 Konsullata të Përgjithshme dhe 5 Konsullata.


Statistika

25

Ambasada

1

Mision Special

6

Konsullata të Përgjithshme

21

Misione Konsullore