1. Etapa e parë


Shqiptarët njihen si populli më i vjetër dhe me historinë më të pasur në gadishullin Ballkanik. Me një trashëgimi historike mbi 3500 vjeçare, gjuhën më të vjetër në Ballkan dhe në mesin e tre gjuhëve më të vjetër në botës sipas prestigjiozes “The New York Times”, populli shqiptarë i Kosovës vlerësohet me tipare dhe një identitet të veçantë.

Ajo që e bën të veçantë popullin shqiptarë të Kosovës është padyshim edhe fakti se identiteti i tyre kombëtarë përgjatë historisë është formuar në bazë të gjuhës, kulturës dhe elementeve të tjera dhe jo mbi atë religjioz. Për më shumë se katër shekuj e gjysmë përpara vitit 1912, Kosova, ashtu si pjesa më e madhe e gadishullit të Ballkanit, ishte pjesë e Perandorisë Osmane. 

Historianët me nam ndërkombëtarë, siç është ai nga Universiteti Prestigjioz Cambridge, Noel Malcolm, kanë argumentuar shkencërisht se “Kosova, u okupua  nga Serbia në Luftën e Parë Ballkanike (tetor 1912), rreth tridhjetë e pesë vjet pas pavarësisë së Serbisë në 1878, megjithëse ligjërisht nuk ishte përfshirë në atë që si Mbretëria e Serbisë dhe kishte mbetur territor i okupuar deri pas vitit 1918”.


2. Etapa e dytë
​​​​​​​

Brenda kësaj periudhe kohore kishte raporte të organizatave kredibile ndërkombëtare për spastrim etnik dhe krime lufte ndaj shqiptarëve etnik që jetonin në Kosovë, siç ishte ai i Komisionit Ndërkombëtarë për Hetim mbi shkaqet dhe udhëheqjen e Luftërave Ballkanike nga Carnegie Endowment për Paqe Ndërkombëtare.


Për spastrimin etnik, krimet kundër njerëzimit dhe përpjekjet nacionale të Serbisë për asgjësimin dhe ndryshimin etnik të popullatës shqiptare në Kosovë kishte raportuar atëbotë nga Ballkani edhe revolucionari Marksist rus Leon Trotsky. Populli shqiptarë, që jetonte në Kosovë vazhdoi të mbetet i pushtuar dhe nuk u lejua, që të bashkohej me Shqipërinë, e cila e kishte shpallur pavarësinë e vet nga Perandoria Osmane në vitin 1912 dhe kjo ndodhi si rezultat i interesave të fuqive të mëdha të kohës dhe balancës së fuqisë së tyre në rajon.

Për pasojë, në territorin e Kosovës, ku shumica e popullsisë ishte e banuar me shqiptarë, vazhdoi asimilimi, politikat e kolonializmit, konvertimet në religjionin ortodoks dhe mohimi i gjuhës shqipe vetëm për zonat e banuara me shqiptarë, përkundër faktit që kjo lejohet për grupet tjera etnike. 

Një ngjarje tjetër e rëndësishme historike që duhet theksohet ishte edhe ajo në kohën e drejt përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, kur përfaqësuesit legjitim të Kosovës shprehën vullnetin e tyre për të drejtën e vetë-vendosjes dhe bashkimit me Shqipërinë nëpërmjet një rezolute në Konferencën e Bujanit, ashtu siç kishin marrë premtime nga komunistët jugosllavë dhe forcat aleate. Por, përkundër vullnetit të shprehur, në vitin 1945 Kosova pa vullnetin e popullit dhe përfaqësuesve të saj legjitim ishte inkuadruar brenda Jugosllavisë si një rajon autonom


3. Etapa e tretë


Politika e kolonizimit të Kosovës vazhdoi edhe gjatë viteve 1950-60-ta, duke detyruar shqiptarët e Kosovës, që të zhvendosen në Turqi, ndërsa duke inkurajuar serbët, që të vendosen në Kosovë. Një periudhë e lehtë përparimi me të drejta dhe përfaqësim të Kosovës vërehet me Kushtetutën e vitit 1974,  e cila i siguronte Kosovës një shkallë të lartë të autonomisë brenda Republikës Socialiste Federative të ish (Jugosllavisë), dhe si njësi federale e kësaj strukture, Kosova ushtronte të njëjtat funksione dhe të drejta Kushtetuese si edhe gjashtë Republikat e tjera të federatës.

Megjithëkëtë, rreth pesëmbëdhjetë vjet më vonë, respektivisht në vitin 1989, Serbia, nën udhëheqjen e Millosheviqit suprimoi në mënyrë të dhunshme Kushtetutën e Kosovës, duke u zëvendësuar atë, në mënyrë të njëanshme me një Kushtetutë të re, e cila hoqi statusin autonom të Kosovës.


Këto veprime të dhunshme dhe të njëanshme të ndërmarra nga ana e Millosheviqit, nxitën disa Republikat tjera të Federatës, që të lëvizin drejt Pavarësisë, siç veproi e para Sllovenia, e pasuar edhe nga Kroacia, duke shkaktuar konfliktin e armatosur gjatë viteve ’90. Në vlugun e këtyre ngjarjeve të dhunshme, udhëheqësit shqiptarë të Kosovës u përgjigjën, duke organizuar referendumin për shpalljen e pavarësisë së Kosovës në vitin 1991.

4. Etapa e katërt


Me vazhdimin e shpërbërjes së dhunshme të Jugosllavisë dhe okupimin serb të Kosovës nga regjimi i Millosheviqit, shqiptarët e Kosovës filluan një lëvizje të rezistencës paqësore në fillim të viteve të ’90-ta, e cila kishte synim të fitojë mbështetjen ndërkombëtare mbi çështjen e pazgjidhur të Kosovës.

Atëbotë, u themelua një Qeveri paralele, që financohej në përgjithësi nga shqiptarët e Kosovës në diasporë. Kur Kosova u përjashtua nga bisedimet e paqes në Deyton kjo pothuajse shuajti shpresat e rezistencës paqësore, duke forcuar bindjen se lufta ishte e pashmangshme. Si rezultat i kësaj situate u shfaq rezistenca e armatosur në vitin 1997 nëpërmjet Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila qëllim kryesor kishte mbrojtjen e popullatës civile dhe çlirimin e vendit.



5. Etapa e pestë


Serbia, nën udhëheqjen e Millosheviqit me forcat e asaj policore, ushtarake dhe paraushtarake,  vazhdoi krimet kundër njerëzimit, spastrimin etnik, krimet e luftës dhe shkatërrimet masive, e cila detyroi më shumë se 1,4 milion shqiptarë të Kosovës (më shumë se 90 për qind) të popullatës, që në mënyrë të detyruar t’i lëshojnë shtëpitë e tyre dhe të vendosen në vendet fqinje, duke shkaktuar vrasjen e rreth 13 mijë civilëve të pafajshëm, djegien dhe shkatërrimin e 130 mijë shtëpive, dhunimin e mbi 20 mijë grave dhe shkatërrimin dhe dëmtimin e 218 xhamive.