01


Trashëgimia kulturore dhe fetare


Kosova është një vend ku gërshetohen më së miri trashëgimia e pasur, diversiteti kulturor dhe toleranca fetare me gjurmë historike mbi tetë mijë vjeçare. Në këtë trashëgimi kanë kontribuar të gjitha grupet etnike, të cilat kanë jetuar në territorin e Kosovës për shekuj. Monumentet e shumta të trashëgimisë kulture dhe fetare datojnë qysh nga parahistoria, kohës së lashtë, atë të ilirëve, kohën romake, mesjetë,  kohën e Bizantit, atë të Perandorisë Osmane dhe okupimit serb. Kjo trashëgimi vlerësohet si thesari më i madh i të gjithë qytetarëve, që jetojnë në Kosovë me potenciale jashtëzakonisht të mëdha edhe për zhvillimin ekonomik të vendit nëpërmjet turizmit. 


Me shpalljen e pavarësisë në vitin 2008, Republika e Kosovës është përkujdesur maksimalisht, që edhe në aktin më të lartë – Kushtetutën të sigurojë ruajtjen, mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore dhe fetare, ashtu siç është e specifikuar edhe në nën 9 të Kushtetutës së Kosovës si dhe me nenin 58, i cili, gjithashtu përcakton promovimin dhe ruajtjen e trashëgimisë fetare dhe kulturore të të gjitha komuniteteve, si pjesë përbërëse e trashëgimisë së Kosovës.  Në kornizën e vet ligjore, Republika e Kosovës i ka dhënë edhe të drejta, privilegje dhe imunitete edhe Kishës Ortodokse serbe në Kosovë.


Kosova, ka disa objekte të trashëgimisë kulturore dhe fetare nën mbrojtje të UNESCO-s, por, trashëgimia kulturore, diversiteti dhe toleranca fetare në Kosovë mund të dëshmohet vetëm nëse ju e vizitoni atë.  Në rrugën kryesore të kryeqytetit të Kosovës, ju mund të shihni Katedralen, e cila është emëruar me emrin e Shenjtërores shqiptare “Nëna Terezë”, për të vazhduar më pas në oborrin e Qeverisë së Kosovës, ku mund të vizitoni Pllakën Përkujtimore për viktimat hebreje të Holokaustit, Xhaminë e Gurit të vitit 1393, Hamamin e Madh në Prishtinë të shekullit IV apo qytetin e lashtë romak – Ulpianën të ndërtuar në fillim të shekullit II.


Në Kosovë ekzistojnë 1534 asete kulturore, që janë në listën e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore të propozuara nga Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore.


Manastiri i Deçanit në Pejë, Ura e vjetër e gurit në Prizren, Manastiri i Graçanicës, Kisha e Shën Spasit Prizren, Shpella e Radacit, Gërmadhat e Kishës së Shën Nikollës në Pejë, Kështjellat mesjetare e Zveçanit, Ura e gurit ne Zallç, Manastiri i Banjskës, Ura e Vjetër e Gurit në Vrri, Kalaja në Gotovushë, Kisha e Shën Gjergjit, Kalaja në Hisar të Brrutit zënë vend në pjesën e trashëgimisë arkeologjike.


Konaku i Tahir Begut, Shtëpia e Heroit të Popullit Milladin Popovic, Varri i Haxhi Zekës, Kulla e Goskajve, Shtëpia e Enver Hadrit, Ura në grykën e Rugovës, Kino Teatri, Jusuf Gërvalla, Banja e Pejës, Kulla e Jusuf dhe Bardhosh Gërvallës, Teqeja e Madhe amë e Tarikatit Alije - Halvetije në Junik, përfshihen në trashëgiminë arkitekturore.


Lista e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore ngërthen në vete edhe objektet e luajtshme si:  Kupa binjake, Enë sferike, Kulluese, Sopata guri, Byzylyk bronzi, Fibulë në formë harkore, Mulli guri – Mokër, Tas konik., Tokëz rrypi, Varëse qelibari Medalioni i Probit, Shishe qelqi, Balsamarium dhe Nomina mulierum.


Objekti i mullirit dhe bifurkacionit, gryka e Llapushnicës, Shpella e Bresalcit, Liqejtë e Gjeravicës, Kroni i Priftit, Kanjoni i Mirushës, mishtekna e Artanës, Moronica (park me pisha) vlerësohen si peizazhe kulturore, përderisa Eposi i kreshnikëve, Okarina, filigrani, Zurla dhe plisi konsiderohen si pjesë e  trashëgimisë shpirtërore.

Kalaja e Prizrenit

Qyteti antik i Ulpianes

Tolerance Fetare

Vajzat shqiptare me veshje kombetare


02


Muzika
 

Kosova është vend i lindjes së yjeve bashkëkohore të muzikës, që adhurohen dhe pëlqehen në mbarë botën me performancën dhe zhanrin e tyre si Rita Ora, Dua Lipa dhe yllit tjetër në ngritje në muzikën ndërkombëtare Era Istrefi. Rrugën e njëjtë duket se është duke e ndjekur edhe kitaristi i njohur, Petrit Çeku, fitues i disa çmimeve ndërkombëtare si edhe shumë kolegë të tij kompozitorë, soprano e solo këngëtarë nga Kosova.

 

Artistë të tjerë nga Kosova, që kanë fituar njohje ndërkombëtare dhe kanë rrëmbyer çmime të ndryshme në festivale ndërkombëtare janë edhe Sanije Matoshi, Elbenita Kajtazi, Besa Llugiqi, Marigona Qerkezi, Riad Ymeri, Shkëlzen Doli, Ramë Lahaj, Memli Kelmendi, Desar Sylejmani, Ron Atiqi dhe Erëza Muqolli.

 

Muzika në Kosovë është kultivuar dhe ruajtur për shumë gjenerata, ndërsa ajo ka pasur një rol tejet të rëndësishëm në zhvillimin gjithmbarshëm të kulturës, vetë-dijës kombëtare, por, edhe integrimin dhe avancimin e shoqërisë në përgjithësi. 

 

Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, artdashësit e muzikës kanë shtuar përpjekjet e tyre, që të mbajnë në shkallë të lartë muzikën tradicionale, atë burimore si dhe muzikën e lehtë qytetare.

 

Më vonë, nëpërmjet radios e televizionit ka filluar të depërtojë muzika e lehtë argëtuese dhe krahas tyre ajo pak më e ashpër, si roku. Përndryshe, zhvillimi i muzikës dhe krijimi i zhanreve të reja në botë, janë përcjellë rregullisht dhe shumica e tyre tanimë janë kultivuar dhe dëgjohen si pjesë e muzikës argëtuese.

 

Profesionist të fushës përkatëse u angazhuan me seriozitet, që muzika në Kosovë të zhvillohej konform trendëve, ani pse Kosova gjendej në rrethana jo të favorshme politike dhe sociale për zhvillimin të muzikës së mirëfilltë. Fillimisht, ishte kompozitori i njohur, Rexho Mulliqi, ai që për vite të tëra ishte angazhuar për formimin e jetës muzikore.

 

Një nga krijimet e tij të popullarizuara është edhe kënga “Baresha”, të cilën e këndoj këngëtarja e njohur, Nexhmije Pagarusha, e njohur edhe si Bilbili i Kosovës, e cila qysh atë kohë realizojë koncerte në qytete të ndryshme brenda dhe jashtë vendit, duke përfshirë edhe performansat e saj në Izrael. Por, në të njëjtën  kohë në Kosovë nuk kishte munguar as muzika klasike. Për këtë, në vitin 1948, në Prizren u hap shkolla e parë e muzikës për të pasuar tutje me atë në Prishtinë.

 


03

 

Kinematografia
 

Përkundër numrit relativisht të vogël të popullsisë, Kosova ka prodhuar artistë të mëdhenj me famë botërore, ka fituar rreth 200 çmime nga festivalet ndërkombëtare, duke arritur kulmin e suksesit në vitin 2015, kur  filmi i shkurtër “Shok”, hyri në listën e ngushtë për nominim në Oscars në kategorinë “Best Live Action Short Film”.

 

Kinematografia në Kosovë ka një traditë historike disa dekadëshe. Në vitet 1935-37 u regjistruan 7 kinematë e para në qytetet Mitrovicë, Prishtinë, Gjilan, Ferizaj, Prizren, Gjakovë dhe Pejë. Më vonë, shumë të rinj nga Kosova u shkolluan në ish-Jugosllavinë e atëhershme, për të vazhduar më pas edhe në qendrat e tjera të Evropës Lindore dhe ish-BRSS-së për profesionin e operatorit të kamerës. Por, ishte aktori, Bekim Fehmiu, i cili ndonëse karrierën e tij e zhvillojë jashtë vendit, ai e prezantoi Kosovën ku do që shkoi.

 

Aktori Fehmiu, ishte bërë i njohur nga shumë shtëpi filmi nëpër botë. Ishte aktori i parë shqiptar i filmit dhe i teatrit, i cili ka luajtur me sukses në filmat dhe skenat e gjithë hapësirës së ish-Jugosllavisë. Ka qenë një nga personalitetet, që ka lënë gjurmë në kinematografinë ballkanike, por mbi të gjitha, ai mbetet figurë e madhe për kontributin artistik në kinematografinë botërore.

 

Ndërkohë, me krijimin e Kosova filmit fillon kinematografia e mirëfilltë kosovare. Të rinjtë nga Kosova, që tashmë kishin përfunduar studimet në fushën e filmit u rikthyen në vend për të kontribuar në zhvillimin e kinematografisë. Në bashkëpunim me Televizionin e Prishtinës fillimisht, u realizua filmi “Era dhe lisi”, pastaj “Dashuria e parë” 1970, “Rekuiem për të nesërmen”1970, “Koka ime e krisur” dhe filma të tjerë.

 

Pas përfundimit të luftës së vitit 1999, Qendra Kinematografike e Kosovës nisi përpjekjet e reja për përkrahjen dhe prodhimin e filmave sa më cilësor, të cilët i sollën Kosovës rreth 200 çmime nga festivalet ndërkombëtare.

 

Filmat, që kanë marrë më së shumti çmime janë: “Agnus Dei” nga Agim Sopi, “Ballkoni”, “Burrnesha”, “Kolona”, “Tri Dritare dhe një Varje”, “Heroi”, “Babai” dhe “Bota”. Ndërsa, sukses të jashtëzakonshëm ka pasur edhe filmi i shkurtër “Shok”, i cili pati premierën në mars të vitit 2015 në Aspen Shortsfest, si pjesë e konkurrencës zyrtare, nga i cili festival doli me 3 çmime dhe pastaj vazhdoi shfaqjen në shumë festivale, për të hyrë më pas në listën e ngushtë për nominim në Oscars në kategorinë “Best Live Action Short Film”.

 


Ngjarje të rëndësishme sportive:

04

 

Sporti

 

Me gjithë së një vend relativisht i ri, Kosova ka dhënë një kontribut të rëndësishëm edhe në sportin ndërkombëtarë. Rreth dy vjet pas anëtarësimit të saj si shtet i barabartë dhe me të drejta të plota pjesëmarrje në Komitetin Olimpik Ndërkombëtarë, vendi i vogël, që për herë të parë arriti të marrë pjesë në Lojërat Olimpike Rio 2016 në Brazil, u stolis me medaljen e parë të artë, të cilën i solli Xhudistja tashmë me kredenciale ndërkombëtare, Majlinda Kelmendi.

 

Ndërkombëtarizimi i sporteve të Kosovës dhe në veçanti anëtarësimi i vendit në FIBA, FIFA dhe UEFA ishte një dritare e re e perspektivës së sportistëve, por edhe vet shtetit të Kosovës, pasi që shumë lojtarë të njohur ndërkombëtarë të futbollit me prejardhje nga Kosova nuk kishin mundësi, që të përfaqësonin fanellat e shtetit të tyre. Yjet e futbollit me prejardhje nga Kosova sot luajnë për ekipet më elite të Kampionatit Evropian, ndërsa dëshmia më e mirë e suksesit të tyre është se gjysma e ekipit të përfaqësueses kombëtare të Zvicrës përbëhej me lojtarë, që kanë prejardhje nga Kosova. 

 

Sukseset e sportistëve nga Kosova nuk kanë munguar as në kohërat e mëhershme. Futbollistë nga Kosova kanë qenë pjesë të klubeve të mëdha evropiane siç janë Fadil Vokrri, Lorik Cana, Ardian Kozniku, etj. Edhe në sporte të tjera, kosovarët kanë arritur të sjellin medalje, në veçanti sportet luftarake si: boks, mundje e karate.

 

Zhvillimi i sportit është bërë paralelisht me përpjekjet e shoqërisë për mbijetesë politike, kulturore dhe arsimore. Përkundër izolimit, sportistët kosovarë asnjëherë nuk kanë hequr dorë nga zhvillimi i talentit dhe dëshirës. Sportet më popullore në Republikën e Kosovës janë: futbolli, basketbolli, volejbolli, hendbolli dhe mundja. Sportet individuale kanë qenë ato që kanë sjellë krenarinë dhe sukseset për vendin, deri në medalje të artë botërore.

Sporte të ndryshme


05

 

Literatura ndërkombëtare mbi Kosovën

 

Përkundër rëndësisë, që Kosova ka pasur në zhvillimet dhe historinë e Ballkanit ajo, ashtu siç e dëshmojnë edhe studiuesit më profesionistë ndërkombëtarë për arsye politike kishte mbetur pothuajse “misterioze dhe pak e njohur për të huajt”.

 

Të njëjtit studiues kanë argumentuar se kjo kishte ndodhur pasi që “hartat evropiane të kësaj zone përmbanin pasaktësi të mëdha dhe interpretime të fakteve sipas interesave dhe narracionit të atyre, që kishin pushtuar këtë pjesë dhe kjo gjendje vazhdoi pothuaj e njëjtë deri në fund të shekullit të nëntëmbëdhjetë”.  

 

Këtë, më së miri e dëshmon edhe një gjeograf bullgar, i cili në kuadër të një vizite në Kosovë gjatë Luftës së Parë Botërore, kishte shkruar se  “pjesë të rajonit të Kosovës ishin, deri para pak vitesh, pothuajse aq të panjohura dhe të paarritshme sa një shtrirje toke në Afrikën Qendrore”.

 

Kosova, u bë e njohur për komunitetin ndërkombëtarë si rezultat i dhunës sistematike, spastrimit etnike dhe gjenocidit të ushtruar ndaj popullsisë civile dhe luftës së fundit të vitit 1999, ndërkohë që u shtua edhe literatura, raportimet e besueshme dhe të paanshme ndërkombëtare dhe paralelisht me këtë zgjoi interesimin dhe vëmendjen e studiuesve më të njohur ndërkombëtarë të historisë, marrëdhënieve ndërkombëtare, së drejtës ndërkombëtare dhe çështjeve të tjera, që ndërlidhen me këto. Më poshtë, gjeni disa autorë me kredenciale ndërkombëtare dhe tituj librash mbi Kosovën.

 

06

 

Kuzhina Tradicionale

 

Tradita e gjatë, e pasur dhe me shije të veçantë e bën kuzhinën tradicionale kosovare vërtetë unike.

 

Në këtë përzgjedhje, padyshim, që flija mund të renditet me lehtësi në vendin e parë, duke mos e lënë anash as byrekun. Si pjesë e kuzhinës ballkanike, edhe ushqimet në Kosovë karakterizohen me prodhime të ndryshme të mishrave dhe perimeve të freskëta apo edhe ato të konservuara gjatë stinës së dimrit.

 

Një element tjetër, që e bënë Kosovën të njohur është edhe tradita e shkëlqyer e prodhimit të verës. Pjesa jugore e vendit njihet për kultivimin me traditë, ku mijëra hektarë vreshta ofrojnë verë cilësore dhe me kualitet të lartë. Vera e Kosovës sot ka depërtuar gjithandej në tregjet ndërkombëtare. 

 

Veç kësaj, kultivimi dhe përgatitja e troftës është një traditë tjetër në Kosovë. Me gjithë kuzhinën e pasur tradicionale, restorantet e shumta, kafenetë, bistrot dhe hotelet moderne ofrojnë llojllojshmëri të menyve ushqimore dhe pijeve nga vende dhe kultura të ndryshme të botës

 

"Kush e ka makiaton më të mirë në botë? (Nuk është në Itali)"?! Është në Kosovë! Ky kishte qenë vlerësimi i gjigantit të teknologjisë, Yahoo, në një artikull, që i kishte kushtuar Kosovës.


YAHOO

  • 4.1 Sofra e shtruar e mikpritjes në oborrin e një stani në Bjeshkën e Lybetenit.jpg
  • 5.1.jpg