​​​​​​​KU NDODHET KOSOVA


Emri zyrtar i vendit: Republika e Kosovës

Sipërfaqja: 10,908 km²

Popullsia: 1,8 milion

Kryeqyteti: Prishtina (popullsia 200,000)

Vendndodhja gjeografike: Kosova ndodhet në qendër të Ballkanit, dhe ajo kufizohet me Shqipërinë, Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë

Përbërja etnike

·         90 % Shqiptarë,

·         5 % Serb

·         2 % Boshnjak dhe Goran

·         2 % Romë dhe 1 % Turq

Kategorizimi

·         42 % urban,

·         58 % rural

Diaspora: mbi 800,000 banorë jetojnë jashtë vendit

Gjuhët :Gjuha shqip dhe serbisht janë zyrtare, ndërkaq gjuha angleze flitet gjerësisht. Në masë të madhe flitet edhe gjuha gjermane.

Valuta: Euro (€)

BPV (2015): Është ngritur mesatarisht 4.1% Burimi: Agjencia e Statistikave të Kosovës 

BPV për kokë banori (2015): 3,277 .00 EURO Burimi: Agjencia e Statistikave të Kosovës 

Buxheti: Në vitin 2016 1.684 miliardë €

Komunikimi: Kosova ka një sistem telekomunikimi të zhvilluar mirë.

Ka më se 328 telefona me pagesë, të cilët janë të vendosur në vende publike si dhe  brenda zyrave postare. Vala, IPKO, D3 dhe Z-Mobile janë ofrues të shërbimeve GSM në Kosovë  dhe roamingu ofrohet nga shumica e ofruesve të shërbimeve telefonike ndërkombëtare. Nëse qëndroni më gjatë në Kosovë ju rekomandohet të blini një numër lokal me parapagesë.

Rreth 74% të ekonomive familjare mbulohen nga rrjeti i internetit.

Burimi: Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare

Zona kohore: Koha e Evropës Qendrore  (GMT+1)

Rreth Kosovës


Pozita gjeografike është njëri prej elementeve kryesore, që i jep vendeve fuqi dhe nga ky rregull nuk bën përjashtim as Kosova. Me një shtrirje gjeografike në Evropën Juglindore dhe e vendosur në zemër të gadishullit ballkanik, rëndësia strategjike e pozicionit të Kosovës ka qenë e njohur përgjatë gjithë historisë, por ajo është rritur, në veçanti gjatë kohëve të fundit.


Vënia në qarkullim i autostradës së re dhe moderne që kalon nëpër Kosovë, duke i dhënë asaj qasje të lehtë dhe të shpejtë në Detin Adriatik, lidhjet e reja të kësaj autostrade me shtetet fqinje, respektivisht me korridorin e 10 dhe 8 janë dëshmia më e mirë dhe vlera e rëndësisë së pozicionit strategjik të Kosovës si dhe mundësive të reja që janë krijuar në vend.


Me gjithë se me një territor relativisht të vogël prej 10,887 Km2, por me histori, kulturë dhe traditë jashtëzakonisht të pasur, infrastrukturë moderne, atraksione të shumta turistike përgjatë gjithë stinëve, me mbi 250 ditë me diell në vit, popullatën më të re në Evropë, një shoqëri të hapur dhe me orientim e vlera pro-perëndimore, kuzhinë të veçantë, koston më të ulët për të jetuar në Evropë dhe në Ballkan, qasje dhe lidhje të mira me vendet tjera fqinje, Kosova mbetet një vend ideal për tu vizituar. Një veçanti tjetër gjeografike, që e dallon atë nga shumë vende janë edhe malet e larta që  i ndajnë  kufijtë e saj.


Në një artikull të publikuar në Qershor të vitit 2016, Revista me nam botëror, “National Geographic”, e kishte përfshirë Kosovën në mesin e dhjetë vendeve, që do të duhej të kishin më tepër turistë nga e gjithë bota.“…Kosova e pavarur është një prej aventurave më interesante të destinacioneve të udhëtimit”, kishte rekomanduar “National Geographic”. “…qytete piktoreske dhe manastire sublime”, e kishte vlerësuar udhërrëfyesi tjetër më i madh në botë i botimeve mbi turizmin Lonely Planet.